Pjesa më poshtë është shkëputur nga "Letër e një të marri" e Mopasanit, përkthyer nga dora vetë. Nëse dëshira dhe kureshtja ju marrin me vete, jeni të lutur ta vazhdoni. Nëse jo... kur të marroseni prej vërteti, më shkruani një letër.
A.
I dashur doktor, po e lë veten në dorën tuaj. Bëni me mua ç’t’ju dojë qejfi.
Do t’ju tregoj haptazi për gjendjen e çuditshme mendore që më ka kapluar, dhe gjykojeni vetë nëse do të ishte më mirë të trajtohesha për ca kohë në ndonjë klinikë, sesa të lihem pre e haluçinacioneve dhe vuajtjeve që më kërcënojnë.
Ja historia e gjatë dhe e saktë, e sëmundjes së rrallë të mendjes sime.
Jetoja si gjithë njerëzia, duke e parë jetën me sytë e hapur e të verbër të njeriut, pa u habitur e pa kuptuar. Jetoja siç jetojnë kafshët, siç jetojmë të gjithë, duke përmbushur gjithë funksionet e gjallimit, duke zhbiriluar e duke besuar se shihja, duke besuar se dija, duke besuar se njihja çka më rrethonte, kur, një dite, vura re se asgjë nuk shkonte.
Një fjali e Monteskjësë më ndriçoi befas mendimin. Ja kjo: “Një organ më shumë a më pak në mekanizmin tonë do të na kishte dhënë një tjetër inteligjencë.
“...Pra, gjithë ligjet e bazuara mbi dijen se mekanizmi ynë është ndërtuar në një mënyrë të dhënë, do të ishin të ndryshme nëse mekanizmi ynë do të ishte ndërtuar në tjetër mënyrë.”
Aty më rrihte mendja për muaj të tërë, muaj e muaj me radhë, dhe, pak nga pak, një qartësi e çuditshme më hyri përbrënda, dhe kjo qartësi më kalli errësirën.
08 qershor, 2009
shkruaj një letër
Posted by
akvll-naja
at
17:31
4
comments
13 maj, 2009
A simple guide to me and some of my friends III
Space
Një tavë me speca të mbushur me dashuri
ta vura përpara, dola nëpër bote
ti vertitesh brenda, s’gjen dot rahati
diçka të mungon, në stomak , në kokë.
U ktheva të nesërmen, të putha nxitimthi
specat aty ishin, nuk i kishe ngarë
u pa kjo punë, speca, në dollap!
përpara të vura bërxolle në zgarë.
Sytë e zinj të shndrisin si t’ishe fëmi'
s’ka si mishi, thua, mos më bëj më speca
më mirë hamë mish e pimë raki
lëre boten vetëm, në djall dhe dieta!...
2000 e ca
Posted by
akvll-naja
at
14:15
7
comments
07 maj, 2009
Edhe një
dë Mopasan, përkth. nga fr. : akvll. d.v.
LAMTUMIRË
Dy miqtë po përfundonin darkën. Nga dritarja e kafenesë shihnin bulevardin e mbuluar me njerëz. Ndjenin të kalonin ato frymët e vakëta që vrapojnë nëpër Paris netëve të buta të verës, që i bëjnë kalimtarët të ngrenë kokën dhe u zgjojnë dëshirën për të udhëtuar, për të shkuar atje larg, s’di se ku, nën gjethe, dhe i bëjnë të ëndërrojnë për lumenj të përndritur nga hëna, xixëllonja e gushkuqë.
Njëri prej tyre, Henri Simon, deklaroi duke psherëtirë fort;
- Ah! Po plakem. Çfarë trishtimi. Dikur, mbrëmjeve si kjo, ndjeja gjakun të më ziente. Tani ndjej vetëm pishmanllëqe. Sa shpejt shkon jeta!
Henri Simon ishte pak i dhjamosur tashmë, ndoshta dyzetepesë vjeç dhe shumë tullac.
Tjetri, Pjer Karnier, pak fare më i moshuar, por më i dobët e më i gjallë, ia ktheu:
-Unë, miku im, jam plakur pa e vënë re fare. Kam qenë gjithmonë gazmor, djaloshar, i fuqishëm e të tjera. Por, kur shihesh përditë në pasqyrë, nuk e vëren punën e moshës, sepse ajo është e avashtë, e rregullt, dhe e shndërron fytyrën kaq ngadalë sa ndryshimet nuk ndjehen. Veç prej kësaj nuk vdesim nga dhimbja pas dy a tre vjetësh shkatërrim. Sepse nuk e masim dot. Që të kuptonim, do të duhej të rrinim rreth gjashtë muaj pa u parë në pasqyrë – oh! çfarë goditje!
Dhe gratë, i dashur, sa keq më vjen për të gjorat! Gjithë lumturia, gjithë fuqia, gjithë jetën qëndrojnë në bukurinë e tyre që zgjat veç 10 vjet.
Si të thashë, unë jam plakur pa dyshuar fare, e kujtoja veten gati adoleshent ndërkohë që isha gati pesëdhjetë vjeç. Nuk ndjeja asnjë lloj gjymtimi të ndonjë lloji, shkoja i lumtur dhe i qetë.
Rrënimin tim e zbulova në një mënyrë të thjeshtë e të tmerrshme që më fundosi për gati gjashtë muaj... pastaj i dhashë dum të mësohesha.
Kam qenë shpesh i dashuruar, si gjithë burrat, por sidomos një herë.
E kisha takuar në breg të detit në Etretat, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, pak pas luftës. S’ka gjë më të dashur se ai plazh mëngjeseve kur njerëzia lahet në det. Është i vogël, në formë patkoi, rrethuar nga rrëpira të bardha përshkuar nga ca zgavra të quajtura Dyer, njëra e madhe, shtrin në det këmbën e saj gjigande, tjetra përballë, e kruspullosur dhe e rrumbullakët, turma e grave mblidhet, fërkon trupin mbi gjuhën me guralecë, të cilën e mbulon me një kopsht shpërthyes këmishëzash të bardha. Dielli bie pingul mbi brigje, mbi çadrat shumëngjyrëshe, mbi detin blu të gjelbër; dhe e gjitha është e gëzueshme, e hirshme, e këndshme për syrin. Ulesh buzë ujit dhe vështron gratë që lahen. Ato zbresin të mbështjella në robdishamë fanellate, që i heqin me një lëvizje të hijshme tek i afrohen vijës së shkumës së valëve të shkurtra; hyjnë në det me hap të shpejtë, që nganjëherë shkakton një rrënqethmë të lehtë, një marrjefryme të shkurtër.
Të pakta janë ato që i rezistojnë provës së larjes në det. Aty i gjykojmë, nga pulpat tek gjoksi. Sidomos dalja zbulon të dobëtat, megjithëse uji i detit është mik i mishrave të squllura.
Herën e parë që e kisha parë këtë vajzën, isha mrekulluar dhe joshur. Ajo mbahej bukur mirë. Mandej, ka fytyra hiri i të cilave hyn tek ne dhunshëm, na pushton përnjëherësh. Duket sikur kemi gjetur gruan për të dashur të cilën kemi lindur. Këtë ndjenjë e këtë shkundje kisha ndier.
U prezantova dhe më ra në kokë si kurrë më parë. Ajo më përmbyste zemrën. Është e frikshme dhe e ëmbël të vuash kështu zotërimin e një gruaje. Ishte gati torturë dhe në të njëjtën kohë një lumturi e pabesueshme. Vështrimi i saj, buzëqeshja e saj, flokët mbi qafë tek ia ngrinte era, të gjitha vijëzat e fytyrës, më e vogla lëvizje e trajtave të saj më gëzonin zemrën, më turbullonin, më merrnin mëndjen. Ajo më zotëronte me qenien e saj, me gjestet, me sjelljet, edhe me gjërat që mbante që bëheshin magjepsëse. Mallëngjehesha tek shihja lulet e saj mbi komodinë, dorashkat të hedhura mbi kolltuk. Gjithë gjërat e saj më dukeshin të paimitueshme. Askush s’kishte kapele si të sajat.
Ajo ishte e martuar, por i shoqi vinte të shtunave e ikte të hënave. S’doja t’ia dija për të. Nuk isha fare xheloz për të, s’di pse, kurrë një qenie nuk më është dukur kaq e parëndësishme, kurrë një qenie s’e ka tërhequr vëmendjen time më pak se ky burrë.
Ah sa e doja atë grua! Sa e bukur ishte, e hirshme dhe e re! Ishte vetë rinia, eleganca e freskia. Kurrë si tani s’kisha vënë re sa qenie e bukur, e hollë, e delikate, bërë prej hiri e magjepsje, mund të jetë një grua. Kurrë më parë s’kisha kuptuar se ç’ka të bukur harku i një faqeje, lëvizja e një buze, palat e rrumbullakëta të veshit, forma e atij organi budalla që quhet hundë.
E gjitha zgjati tre muaj, më pas u nisa për Amerikë, me zemrën të rrënuar nga dëshpërimi. Por mendimi për të qëndroi brenda meje, këmbëngulës, triumfues. Ajo më zotëronte nga larg, si më kish zotëruar nga afër. Vitet shkonin. Unë s’kisha harruar asgjë. Figurën e saj magjepsëse e kisha para sysh e në zemër. Gjithë butësia ime i rrinte besnike, një butësi e qetë tashmë, diçka si kujtimi i dashur i asaj çka kisha takuar më të bukur e më joshës në jetë.
*
Dymbëdhjetë vjet janë kaq pak në ekzistencën e një njeriu! S’ndihen fare tek kalojnë! Shkojnë vitet, njëri pas tjetrit, ngadalë e shpejt, të avashtë e të ngutur, secili është i gjatë e secili mbaron kaq shpejt! E i shtohen njëri-tjetrit kaq befas, lënë kaq pak shenja pas tyre, zbehen kaq tërësisht sa kur kthehemi për të parë kohën e përshkuar nuk vërejmë më asgjë e nuk kuptojmë sesi ndodhi që u plakëm.
Më dukej vërtet që disa muaj më ndanin nga ajo stinë magjepsëse mbi gurët e Etretës.
Pranverën e kaluar, isha nisur të darkoja në Mezo-Lafitë, tek disa miq.
Kur treni po nisej, një grua e shëndoshë hipi në vagon, shoqëruar me katër vajza të vogla. I hodha kalimthi një sy kësaj nëne pulë shumë të gjerë, shumë të rrumbullakët, me një fytyrë si hënë e plotë me një kapele qarkuar me fjongo.
Ajo dihaste nga të nxituarit. E fëmijët filluan të çuçuritnin. Unë hapa gazetën dhe nisa të lexoja.
Sapo kishim kaluar Anierën, kur fqinja më thotë:
- Më falni, mos jeni zoti Karnier?
- Po, zonjë.
Ajo filloi të qeshte, me të qeshurën e kënaqur, të një gruaje të mirë, por pak të trishtuar.
- Nuk më njihni?
Hezitova. Më dukej sikur e kisha parë diku atë fytyrë; po ku? Po kur? Iu përgjigja:
- Po... dhe jo...Ju njoh me siguri, por s’më kujtohet emri.
Ajo u skuq paksa:
- Zhyli Lëfevrë.
Kurrë s’kisha marrë goditje të tillë. M’u duk se brenda një sekonde gjithçka kishte marrë fund për mua. Ndjeja vetëm se një perde më ishte grisur para syve dhe se do të zbuloja gjëra të frikshme e për të ardhur keq.
Ishte ajo! kjo grua e trashë dhe banale ishte ajo? Ajo kishte pjellë katër vajza që kur s’e kisha parë. E këto qenie të vogla më habisnin po aq sa vetë nëna e tyre. Ato kishin dalë prej saj; ishin të mëdhaja tashmë, kishin zënë vend në jetë. Ndërkohë që ajo s’kishte më vlerë, ajo mrekulli e hirshme, lozonjare e hollë. Më bëhej se e kisha parë dje dhe ja si po e takoja sot! Të ishte e mundur? Një dhimbje e dhunshme më shtrëngonte zemrën, dhe po ashtu një revoltë kundër vetë natyrës, një indinjatë e pamend, kundër kësaj vepre shkatërrimi brutale e të ulët.
E shihja i alarmuar. Pastaj i mora dorën; dhe lotët m’u ngjitën në sy. Qaja rininë e saj, qaja vdekjen e saj. Sepse s’po e njihja më këtë grua të shëndoshë.
E prekur dhe ajo, belbëzoi:
- Kam ndryshuar shumë, apo jo? Ç’të bësh, gjithçka kalon. Siç e shihni, jam bërë nënë, thjeshtë nënë, një nënë e mirë. Lamtumirë të tjerave, mbaroi. Oh! e dija se s’do më njihnit nëse do të takoheshim. Le që dhe ju keni ndryshuar: m’u desh ca kohë për t’u siguruar se s’e kisha gabim. Jeni zbardhur fare. Mendoni. Ka dymbëdhjetë vjet! Dymbëdhjetë vjet! Vajza ime e madhe është dhjetë vjeçe tani!
Vështrova fëmijën. Dhe gjeta në të diçka nga hiri i hershëm i së ëmës, por diçka të pavendosur akoma, diçka thuajse të paformë, diçka të pritshme. Dhe jeta m’u duk e shpejtë si një tren që s’ndalet.
Kishim mbërritur në Mezo-Lafitë. I putha dorën mikeshës së vjetër. S’kisha gjetur gjë tjetër për t’i thënë veç ca banaliteteve të frikshme. Isha shumë i tronditur për të folur.
Në mbrëmje, i vetëm, në shtëpinë time, u vështrova gjatë në pasqyrë, shumë gjatë. Dhe më në fund u kujtova se ç’kisha qenë; pashë me mendje mustaqet e kafenjta dhe flokët e zinj, dhe trajtat rioshe të fytyrës. Tani isha plakur. Lamtumirë.
Posted by
akvll-naja
at
18:38
2
comments
